22 Janar 2025

Opozita: Kuvendi po vihet nën kontrollin policor

Prishtinë, 14 tetor - Subjektet parlamentare opozitare, VV-ja, AAK-ja dhe Nisma, me anë të një deklarate të përbashkët konsiderojnë se vendimet e sotme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës kanë marrë pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska), janë absolutisht të papranueshme.

“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme. Trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë”, është thënë në deklaratën e tri partive opozitare.

Sipas këtyre subjekteve politike,  veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e joetnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror. “Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na servohet përmes këtyre marrëveshjeve, ‘de facto’ është logjikë aparteidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës.

Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e  lejojmë një gjë të tillë! Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës”, është thënë në deklaratën e përbashkët të VV-së, AAK-së dhe Nismës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur që të kontrollohet secili deputet dhe çdokush që do të futet brenda hapësirës së Kuvendit.

Nesër (e enjte) në orën 10:00 është paraparë të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)