Opozita kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë
Prishtinë, 24 janar - Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë dalë me qëndrime të përbashkëta kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë, në formatin dhe përmbajtjen aktuale.
Në një konferencë të përbashkët për media, përfaqësuesit e këtyre tri partive politike thanë se vazhdimi i dialogut, \"në kohën kur Serbia mbanë në fuqi urdhër arrestet kundër figurave politike të Kosovës, në kohën kur ndërton mure ndarëse në Mitrovicë dhe në kohën e nisjes së një treni provokues\", është i pakuptimtë.
Andaj, opozita kërkoi që dialogu të pezullohet dhe për këtë të deklarohet edhe Kuvendi i Kosovës.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se në fillim të procesit të dialogut, qeveria kishte premtuar se me anë të këtij procesi Kosova do të fitoj në fund njohjen e saj nga Serbia, do të fitoj në procesin e integrimit evropian dhe do të integroj komunitetin serb.
Të tri premtimet, vijoi ai, nuk janë realizuar, madje sipas tij, Serbia i ka intensifikuar veprimet e saj kundër shtetit të Kosovës, kurse përafrimi i Kosovës me BE-në është sfiduar seriozisht.
Tani kemi nevojë që ta rishqyrtojmë dialogun, ka thënë Konjufca.
Dialogun me Serbinë, sipas tij, asnjë qeveri nuk mund ta sheh si një të drejtë të saj, pasi që pozicioni i Kosovës në këto bisedime, duhet të jetë konsensus i rrafshit nacional.
Valedete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën ka deklaruar se vazhdimi i dialogut i me Serbinë duhet të ndërpritet, përderisa nuk ka konsensus nacional.
Për më tepër Bajrami thotë se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi, e kanë humbur legjitimitetin, meqë sipas saj, asnjëri nga ta nuk ka diskutuar në Kuvend lidhur me këtë çështje.
Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të koalicionit qeverisës që të nënshkruajnë kërkesën për seancën e jashtëzakonshme në lidhje me këtë çështje.
Derisa të jemi të barabartë në atë tryezë, dialogu duhet të pezullohet, tha Bajrami.
Ndërsa Pal Lekaj kryetar i GP të AAK-së, tha se nga ky dialog ka përfituar vetëm Serbia sepse me dinakëri e ka përdorë dialogun me Kosovën dhe është afruar me Bashkimit Evropian.
Ai tha se duhet të ndërpritet ky format I bisedimeve me Serinë, derisa Kosovë të shkojë qartë në bisedime me Serbinë.
Si masë kundër vazhdimit të dialogut në formën aktuale, tri partitë opozitare thanë se do të thirrin një seancë parlamentare, ku do të shqyrtohet pozicioni i Kosovës në bisedime, përfshi edhe kërkesën për pezullim të dialogut.