Opozita kërkon Komision të ri për Demarkacionin
Prishtinë, 19 maj - Subjektet politike opozitare, bazuar në qëndrimet e një ditë pas takimit me komisionarin për Politika Fqinjësore Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, dhe komunikimit të vendimit për kushtëzim të liberalizimit të vizave me ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nuk do të binden që të bëhen pjesë e një pazari të tillë, edhe për çmimin e një marrëveshjeje eventuale gjithëpërfshirëse të partive politike, që pas ratifikimit të Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Përfaqësues të subjekteve politike opozitare, VETËVENDOSJE, AAK dhe Nisma konsiderojnë se kushtëzimi është i padrejtë dhe i papranueshëm, dhe si i tillë nuk mund të ofrohet as në kompromis për datën e zgjedhjeve.
Nuk besoj që mund të gjendet një deputet i opozitës ose pozitës, që është kundër Demarkacionit me Malin e Zi. Ne jemi madje edhe për Demarkacionin e kufirit edhe me Serbinë. Në rastin e Kosovës, e cila ka qenë njësi e veçantë administrative dhe territoriale e ish- Jugosllavisë, e që natyrisht ka ekzistuar vija kufitare që e ka ndarë territorin e Kosovës nga njësitë e tjera të federatës, nuk ka asnjë arsye të mos mbetet kufiri në mes të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës dhe shteteve që kanë dalë nga ajo federatë, theksoi deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Ismail Kurteshi për Kosova Sot.
Sipas Kurteshit, opozita, shumë deputetë të pozitës dhe shumica absolute e qytetarëve të Kosovës janë kundër lojës së rrezikshme me kufi.
Ne nuk pajtohemi, por edhe sikur të pajtoheshim nuk kemi të drejtë të falim tokë të Kosovës në as një rast dhe për kurrfarë arsye, tha ai.
Deputeti i VV-së thotë se zgjidhja e vetme e këtij problemi mbetet përmes një Komisioni të ri për rishikimin e krejt procesit të deritashëm të gabuar të përcaktimit të vijës së re kufitare në dëm të Kosovës, ndryshe vazhdimi me këtë lojë të rrezikshme mund të mbetet në historinë e kombit si një tradhti e madhe kombëtare.
Është obligim i Qeverisë së Kosovës, që pa humbur kohë ta angazhojë një komision të ekspertëve vendorë ta përcaktojë vijën ndërkombëtare, e nëse ajo kontestohet nga Mali i Zi atëherë komisionet e dy shteteve duhet ti ballafaqojnë argumentet në prezencën edhe të ekspertëve ndërkombëtarë.
/Kosova Sot/