Opozita i dorëzoi Presidentes peticionin e 205.254 qytetarëve
Në emër të Opozitës drejtuesit e grupeve parlamentare, deputetët Glauk Konjufca, Pal Lekaj e Valdete Bajrami i dorëzuan Presidentes Peticionin kundër Marrëveshjeve të nënshkruara me 25 dhe 26 gusht nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.
Presidentja Jahjaga theksoi se në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe pa paragjykim ajo tashmë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretimin e përputhshmërisë së parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga përsëriti thirrjen e saj që i tërë spektri politik i Kosovës ti përgjigjet ftesës së saj për dialog politik për të tejkaluar situatën e krijuar në vend.
Ky peticion u fillua nga subjektet opozitare me 18 shtator 2015 dhe u përmbyll më 31 tetor 2015. Ky peticion u nënshkrua nga 205.254 qytetarë të Republikës sonë.
Valdete Bajrami shpjegoi arsyen kryesore pse peticioni iu dorëzua Presidentes duke thënë se sipas kompentecave që ia jep Kushtetuta, Presidentja garanton unitetin e populli. Bajrami tha se Presidentja do të duhet t\'i shqyrtojë kërkesat e qytetarëve të Kosovës, meqë ato janë legjitime.
Ndërkaq Glauk Konjufca theksoi se në deklaratat dhe qëndrimet e saj politike, Presidentja duhet ta përfaqësoj unitetin e popullit i cili është i mishëruar në këtë peticion të qytetarëve të Kosovës të cilët masivisht janë shprehur kundër themelimit të Zajednicës dhe kundër dhënies së mijërave hektarëve tokë Malit të Zi\".
Pal Lekaj shtoi midis të tjerash se Opozita e Bashkuar është e vendosur që t\'i kundërshtojë këto dy marrëveshje me të gjitha mjetet demokratike, marrëveshje këto që dëmtojnë dhe copëtojnë Kosovën.