Opozita gati për protesta
Prishtinë, 19 tetor - Kryesia e Kuvendit duket se është bindur të mos thërrasë më seanca plenare, ku pikë e vetme e rendit të ditës është hedhja e gazit lotsjellës.
Gazeta merr vesh se për ti hapur rrugë dialogut me ndërmjetësimin e presidentes dhe me qëllim të shmangies së skenarëve nga seancat e kaluara të cilat u ndërprenë pasi opozita futi gaz lotsjellës, Kryesia e Kuvendit do ta shqyrtojë mundësinë e mosthirrjes së seancave plenare për një periudhë të caktuar, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë që janë rritur zërat, të cilët kërkojnë nevojën e dialogut ndërpartiak për tejkalimin e tensioneve ndërmjet Qeverisë dhe opozitës, presidentja Atifete Jahjaga ka shprehur gatishmërinë që brenda mandatit të vet kushtetues të ndihmojë në shtensionimin e situatës.
Por, opozita refuzon çdo dialog, përderisa nuk ka tërheqje të nënshkrimit të kryeministrit Isa Mustafa nga marrëveshjet e fundit.
Me 200 mijë nënshkrimet në peticionin kundër Marrëveshjes për Asociacionin dhe demarkacionit me Malin e Zi, opozita ka kthyer sytë nga protestat gjithëpopullore.
Protestat në rrugë dhe bllokadën në Kuvend opozitarët janë të vendosur të mos i ndalin deri në realizmin e kërkesave ose dorëheqjen e kryeministrit Mustafa.
/Koha Ditore/