Opozita: Fundi i këtij regjimi tashmë ka ardhur
Prishtinë, 19 mars - Në Sallën e Sporteve 1 Tetori në Prishtinë, Opozita e Bashkuar mbajti sot tubimin mobilizues për protestën e ardhshme gjithëpopullore të 26 marsit.
Në fillim të këtij tubimi u shfaqën videot që dëshmonin mashtrimet e Qeverisë përgjatë gjithë kësaj kohe, dëmet që ia ka shkaktuar kjo Qeveri Republikës së Kosovës si dhe rezistencën popullore që ishte faktori kryesor i moszbatimit të Zajednicës dhe Demarkacionit deri sot.
Më tej, ta pranishmëve në sallë iu drejtua aktori i mirënjohur Çun Lajqi, me një pikë artistike që ndërlidhej me marrëveshjet e dëmshme që ka nënshkruar kjo Qeveri dhe thërriste për mobilizim gjithëpopullor për të mos lejuar copëtimin e mëtutjeshëm të Kosovës.
Ramadan Istrefi nga veriu i vendit, banor i lagjes Kroi i Vitakut, tregoi për problmet e shumta me të cilat ballafaqohen banorët shqiptarë të asaj pjese të Kosovës, duke e pasur të pamundur kështu edhe jetesën në shtëpitë e tyre. Ai i bëri thirrje të gjithë popullit të Kosovës, veçanërisht shqiptarëve të veriut, që të bashkohen në protestën e 26 marsit për ta kundërshtuar këtë qeveri dhe projektet e saja të dëmshme.
Studentja e Fakultetit Ekonomik, Anita Gërdovci, shpjegoi ndër të tjera se si ky pushtet është fokusuar në negociatat me Serbinë dhe marrëveshjet e dëmshme që po bën me të, duke lënë anash kështu zhvillimin e vendit, me theks të veçantë në sferën e arsimit. Gërdovci ftoi të gjithë studentët që të protestojnë për të drejtat e tyre dhe për shtetin e tyre deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese.
Në pjesën e fundit të këtij tubimi folën Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, si dhe Kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri. Ata theksuan se opozita e bashkuar do të angazhohet maksimalisht në terren me takime, tubime, aksione e protesta, duke i forcuar radhët e veta ashtu që sa më parë të anulohen marrëveshjet e dëmshme të 25 dhe 26 gushtit 2015, dhe sa më shpejtë të detyrohet që të largohet ky regjim.
Muajt në vijim do të jenë përcaktues për Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës, i bashkuar si deri sot, do të ngadhënjejë dhe do ta çojë përpara kauzën e vetë, për shtet me sovranitet.
Mirupafshim më 26 mars, në protestën gjithëpopullore në Prishtinë.