Opozita dorëzoi kërkesen në Kushtetuese kundër Speciales
Prishtinë, 11 gusht - Grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje!, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, dorëzuan sot në Gjykatë Kushtetuese kërkesën ku kontestohet kushtetutshmëria e amendamentit nr. 24 lidhur me formimin e Gjykatës Speciale, të votuar më 3 gusht 2015 nga Kuvendi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje! Albulena Haxhiu tha se kontestimi qëndron në aspektin procedural dhe atë përmbajtësor.
Ne kërkojmë që ky amendament të shfuqizohet për shkak se përmbajtja e tij është në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës dhe po ashtu për shkak të aspektit procedural sepse janë shkelur normat kushtetuese me riprocedimin e tij në seancë plenare, ka thënë ajo gjatë deklarimit për media.
Më 26 qershor 2015 Kuvendi e rrëzoi amendamentit 24. Pra, deputetët e mbrojtën sovranitetin e shtetit dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 3 gusht pas një trysnie nga ekzekutivi vendas dhe zyrtarët ndërkombëtarë, disa nga deputetët ndërruan votën duke e plotësuar numrin për kalimin e këtij amendamenti.
Në vend që Qeveria të reflektonte dhe ta merrte të mirëqenë vendimin e Kuvendit pra, të merrte për bazë alternativën e opozitës që kërkon hetimin e të gjitha krimeve që kanë ndodhur, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Qeveria s\'e mori parasysh dhe e procedoi amendamentin në formatin e njëjtë, ka shtuar Haxhiu.
Ky amendament duhej fillimisht të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese meqë Qeveria e riprocedoi në Kuvend. Kryetari i Kuvendit nuk ka asnjë të drejtë kushtetuese ta riprocedojë një ndryshim kushtetues pa opinionin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese.
Deklarimi se Gjykata kushtetuese e ka shqyrtuar një herë nuk është në kompetencën e Kryetarit as të Kryesisë së Kuvendit. Kryetari duhet ta dërgojë para procedimit parlamentar në Kushtetuese.
Albulena Haxhiu po ashtu sqaroi se në shqyrtimin e parë që ka bërë Kushtetuesja është trajtuar vetëm Kapitulli II i kushtetutës në raport me ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale.
Kërkesa jonë në Gjykatë tanimë kërkon trajtimin e këtij ndryshimi kushtetues në raport me të gjitha zonat e kushtetutës, të cilat janë shpërfillur plotësisht. Amendamenti 24 krijon sistem paralel gjyqësor, cenon sovranitetin e Republikës, i heq të drejtën Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe bie në kundërshtim me kapitujt 1, 2, 4, 7 dhe 12 të Kushtetutës.
Kundërshtimin e kanë shprehur edhe deputetet nga subjektet parlamentare AAK dhe NISMA.
Ne e kemi shfrytëzuar të drejtën tonë për ta kontestuar këtë amendament. Ne jemi unikë në këtë veprim.
Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë dhe Qeveria del pas konstituimit të Kuvendit, por në Kosovë po ndodh e kundërta, ka thënë deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu duke shtuar se vendimi i Kuvendit më 26 qershor është dashur që të respektohet nga Qeveria e Kosovës.
Kemi bërë kërkesë në Kuvend që të mos procedohet më tutje ky amendament. Është dashur që kjo procedurë të sillej në pikën zero dhe të shikohet se a do të duhej të riprocedohej apo jo. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të reflektojë, ka thënë deputetja e Nismës për Kosovën Valdete Bajrami.