Opozita: Demokracia ka marrë fund
Prishtinë, 30 nëntor - Liderët e tri partive opozitare i kanë shpallur përfundimisht të vdekura marrëveshjen për Asociacionin me Serbinë dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Pas një takimi më shumë se dy orësh, të zhvilluar të dielën pasdite, drejtuesit e Vetëvendosjes, të AAK-së dhe të Nismës kanë thënë se pas sulmit në zyrat e VV-së ka marrë fund demokracia. Por në konferencën në të cilën gazetarët nuk u lejuan të bëjnë pyetje, ata nuk kanë treguar se cilat do të jenë veprimet e ardhshme, shkruan sot Koha Ditore.
Dje ka ndodhur një ngjarje jo e mirë, jo e duhur. Janë sulmuar zyrat e punës, selia e një partie opozitare, veprim ky i paparë ndonjëherë. Demokracia më ska kuptim pasi mendimi ndryshe po shtypet me polici, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka shtuar se me gjithë goditjen që morën nga Qeveria, opozita është e bashkuar dhe e fortë.
Marrëveshjet tashmë janë anuluar nga qytetarët dhe Qeveria përkundër arsenalit nuk mund ti ngjallë këto marrëveshje, ka thënë kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri.
Kurse Fatmir Limaj ka deklaruar se duke parë pjesëmarrjen masive në manifestimin e opozitës, nga nervozizmi dhe tmerri përfundimisht pushteti e shfrenoi veten, duke shtypur dhe burgosur opozitarët.
Një ditë pas protestës së opozitës, e cila përfundoi e qetë, por përshkallëzoi kur policia shkoi në zyrat e Vetëvendosjes për ta arrestuar deputetin Albin Kurti, kanë reaguar krerët institucionalë, si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë.
/Koha Ditore/