Opozita bashkohet për rrëzimin e Qeverisë
Prishtinë, 16 shtator - Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën në një konferencë të përbashkët për media kanë deklaruar se janë më shumë se kurrë të bashkuar dhe do të veprojnë si një zë i vetëm.
Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Fatmir Limaj i Nismës dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, kanë paralajmëruar se të premten do të nisin nënshkrimin e një peticioni për tu bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shprehin pakënaqësitë e tyre për rrënimin që po i bëhet shtetit dhe të shprehin kundërshtimet e tyre për marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Bashkimi sipas ketër partive vjen duke e pasur parasysh rrënimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës, si territor, ekonomi e shoqëri, rrënim ky i udhëhequr me vetëdije të plotë nga Qeveria aktuale e Kosovës,
Gjithashtu edhe duke i konsideruar negociatat pa parime me Serbinë në Bruksel si të padrejta dhe marrëveshjet e arritura atje (posaçërisht atë për themelimin e Zajednicës) si hapa të mëdhenj drejt bosnjëzimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht, falimentimin politik e ekonomik të shtetit të Kosovës,
Njekohësisht edhe duke e konsideruar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi si heqje dorë nga një pjesë e territorit të Kosovës.
Në deklaraten e përbashkët të ketyrë partive theksohet se janë të shqetësuar me procesin aktual politik i cili po e dërgon Kosovën pashmangshëm drejt thellimit të ndarjes së brendshme territoriale e etnike dhe konsolidimit të Serbisë brenda Kosovës, e në anën tjetër të marrëdhënies speciale e vasale të Kosovës me Serbinë,
Po ashtu janë të brengosur me padrejtësitë e shumta që vijnë nga mungesa e sistemit të drejtësisë, si dhe nga drejtësia selektive e dirigjuar prej pushtetit, dhe me mos gatishmërnë e të fundit për ti luftuar dukuritë negative dhe korrupsionin që po e rrënon perspektivën e qytetarëve tanë,
Të indinjuar me varfërimin, rritjen e papunësisë dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të shkaktuara nga politikat qeveritare, qofshin ato fiskale, tregtare, por edhe ato të sundimit të ligjit,
Të bindur se politikat qeveritare po e zhdukin potencialin për zhvillim ekonomik, industrial e rritje të punësimit, duke shkuar kështu ndesh me të drejtën e qytetarëve për mirëqenie e dinjitet,
Të vendosur që këtë rrënim dhe falimentim të shtetit si dhe këto marrëveshje të mos i pranojmë e as ti lejojmë së zbatuari.
Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma për Kosovën janë dakoruduar të veprojnë si opozitë e bashkuar në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për ti ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike.
Ata janë zotuar se do ti rrisin dhe intensifikojnë aktivitetet opozitare për shpëtimin e Republikës.
Opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar ti filloj bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik.