Opozita: Autokracia policore po kthen Serbinë në Kosovë
Prishtinë, 1 dhjetor - Subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën vlerëson se Qeveria e Kosovës jo vetëm që u frikësua nga masiviteti i manifestimit të Opozitës së Bashkuar por në panik e sipër ka ndërmarrë veprime që pezollojnë gjithë sistemin e demokracisë parlamentare dhe të shtetit të së drejtës.
Këto masa prej arrestimit e burgosjes së pesë deputetëve të opozitës e dhjetra aktivistëve deri të thyerja dhe bastisja e selisë sipas këtyre partive kulmuan me siç po e quajnë ata suspendimin e të gjithë opozitës nga e drejta për të marrë pjesë në seancë parlamentare.
Kryeministri dhe zëvendësi i tij na vërtetuan se janë të gatshëm për ta çuar vendin drejt një autokracie policore vetëm që mos të tërhiqen nga marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe Malin e Zi.
\"Ne i kemi dhënë opsionet tona për zgjidhjen e kësaj situate. Ne po ashtu kemi dhënë argumente të bollshme për rrezikun real nga këto marrëveshje. Ne jemi të vetëdijshëm që ky është moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Ne nuk kemi besim se kjo përbërje e pushtetit është në gjendje të mbrojë interesin e Republikës së Kosovës. Andaj ne jemi të detyruar e të vendosur që të vijojmë kërkesat dhe aktivitetet tonë në përputhje me këto kërkesa.\"
\"Këta janë të gatshëm që siç suspenduan opozitën nga Kuvendi nesër të provojnë të suspendojnë sovranitetin e unitetin e vendit tonë.\"
\"Por askush nuk mundet ta suspendojë gjithë Republikën e Kosovës. Ne jemi këtu për t\'u siguruar që kjo kurrë nuk do të ndodhë\", thekson opozita.
Pas ngjarjeve të djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës është rrënuar çdo formë e demokracisë përfaqësuese. Kështu që është e domosdoshme të vijojmë me demokracinë e drejtpërdrejtë pra me qytetarët tanë.