OJQ dyshojnë në deshtimet e misionit të EULEX-it
Prishtinë, 9 shkurt - Zotimet e zyrtarëve të lartë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) se do të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta të shoqërisë dhe politikës kosovare janë mirëpritur. Por vonesat në zbatimin e tyre kanë filluar të vënë në dyshim përmbushjen e këtyre zotimeve. Këtë shqetësim e shprehë shoqëria civile e Kosovës me anë të kësaj deklarate.
Ne konsiderojmë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënimet kryesore për Kosovën sot. Këto po dëmtojnë institucionet e vendit dhe shoqërinë tonë në përgjithësi duke penguar rimëkëmbjen ekonomike dhe duke cenuar demokracinë e brishtë të Kosovës. Së bashku sistematikisht dhe sigurt po dëmtojnë të ardhmen tonë evropiane.
Dëshmitë rrëqethëse të dala në opinion në rastin Bllaca, shëtitja e lirë e personave të implikuar në krimin e organizuar nëpër Kosovë, gjendja e jashtëligjshme në veri të Kosovës si dhe raportet e shumta të organizatave e institucioneve vendore e ndërkombëtare e bëjnë edhe më urgjente nevojën për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. EULEX-i është i thirrur ti ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në këtë drejtim.
Hapja e procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit në kohën kur nga EULEX-i pritej të zbatonte zotimet për arrestime të individëve të inkriminuar, ka shtuar hutinë ndër qytetarët e Kosovës por edhe frikën se EULEX-i nuk do të përqendrohet në atë që qytetarët e Kosovës e konsiderojnë prioritet.
Shoqëria civile, por sigurisht edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk dëshirojnë të paragjykojnë për punën e EULEX-it apo të ndërhyjnë në zbatimin e drejtësisë. Megjithatë bindja jonë është që në kandarin e prioriteteve të Kosovës, më me peshë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar se sa trajtimi i rastit të z. Kurti.
Çelës i suksesit të misionit të EULEX-it në Kosovë është mbështetja që qytetarët e Kosovës do tia japë këtij misioni. I bëjmë thirrje EULEX-it që të përqendrohet në përmbushjen e misionit të vet dhe të ndihmojë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që të shohim Kosovën duke bërë progres në integrimet evropiane dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.