Ofendimet nuk janë shërbime publike
Prishtinë, 2 mars - EC Ma Ndryshe reagon ndaj gjuhës ofenduese që Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Hasan Hasani ka përdorë të martën në komunikimin me monitoruesit e organizatës sonë, pak para fillimit të takimit të rregullt të Kryetarit të Komunës me drejtorët e Ekzekutivit lokal.
\"Drejtori Hasani një pakënaqësi të tij, në lidhje me aktivitetet e organizatës, që lidhen ngushtë me interesin publik, e ka shprehur në bisedë me monitoruesin duke përdorë shprehje ofenduese, që nuk duhet të jenë pjesë e fjalorit të një zyrtari të lartë publik, e aq më pak të drejtuesit të dikasterit që angazhim kryesor ka shërbimet publike\", thekson ne reagim EC Ma Ndryshe.
EC Ma Ndryshe përkujton se ky nuk është rasti i parë që ky zyrtar i lartë publik komunikon në këtë mënyrë me bashkëbiseduesit e tij. Përmes këtij reagimi EC Ma Ndryshe ia bën me dije drejtorit Hasani se ofendimet nuk janë shërbime publike. Prandaj, në vend të përdorimit të shprehjeve të ulëta ai duhet të koncentrohet në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
\"Në të njëjtën kohë nënvizojmë se posti publik nuk është pronë as posedim i tij personal, prandaj dhe duhet të sillet konform përgjegjësive që ka marrë për ti shërbyer publikut, dhe jo tekeve apo nervozës së tij personale.\"
\"Fyerjet dhe ofendimet në adresë të cilësdo palë nuk guxojnë të jenë pjesë e diskursit të zyrtarëve publik. Prandaj EC Ma Ndryshe shpreh indinjatën për këtë kulturë të shprehjes dhe kërkon nga drejtuesit e Komunës që ta kenë parasysh se sjelljet e tilla nuk përkojnë me standardet e qeverisjes së mirë dhe në interes të publikut.\"
Pavarësisht nga ky incident, EC Ma Ndryshe thekson se nuk do të zmbrapset nga angazhimi i deritanishëm civil për një ambient më të mirë jetësor për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit.