OEAK reagon ndaj sulmit kundër avokatit, Ramadan Leka
Prishtinë, 14 shkurt - Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), reagon ndaj sulmit vandal kundër anëtarit të saj avokatit, Ramadan Leka, të sulmuar nga persona të panjohur në zyrën e tij në prani të vajzës të mërkurën paradite në Gjilan.
OAK dënon rastin dhe kërkon nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin rastin dhe aktorët e këtij akti të shëmtuar të dalin para drejtësisë.
Oda e Avokatëve të Kosovës rikujton detyrimet e qeverisë dhe organeve përkatëse të saj për të garantuar pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të profesionit të avokatit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke evituar çdo pengese a kërcenim që del në këtë rast.
Konsiderojmë së çdo akt i drejtuar kundër avokatit derisa ai e ushtron profesionin e vet, është njëkohësisht edhe kundër avokatisë dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë, e cila po bën përpjekje të vazhdueshme për krijimin e rendit dhe vënien e sundimit të ligjit.
Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit të avokatit dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike.