OConnell: BE nuk do të lejojë devijimet në Asociacion
Prishtinë, 16 shtator - Marrëveshja për asociacionin nuk e cenon rendin kushtetuese të Kosovës dhe Qeveria tani duhet të dëshmojë përkushtim në implementimin e saj, ka thënë Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi OConell.
Që integrimi i serbëve të bëhet brenda sistemit politik të Kosovës do të kujdeset edhe Bashkimi Evropian, ka siguruar OConnell.
Ndërkaq për ti shmangur keqkuptimet dhe shqetësimet përkitazi me marrëveshjet, ai ka sugjeruar Qeverinë e Kosovës që për marrëveshjet të informojë qytetarët në detaje.
Në intervistën e dhënë Kohës Ditore e cila do të publikohet në dy vazhdime, diplomati britanik i cili ka shërbyer në Kosovë edhe para shpalljes së pavarësisë, ka folur për paralajmërimet e opozitës për organizmin e protestave, në kundërshtim të Marrëveshjes për asociacionin. Sipas tij, protesta është vlerë, por nëse do të ketë dhunë, siç ka ndodhur në disa raste në të kaluarën, atëherë do të ketë pasoja për Kosovën.
Duke komentuar kërkesën e Vetëvendosjes që Mustafa ta tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja për Asociacionin, OConnell ka thënë se kjo nuk mund të ndodhë.
Në pjesën e parë të intervistës OConnell ka theksuar rëndësinë që liderët e Kosovës të marrin vetë përgjegjësinë për proceset e rëndësishme. Por ka paralajmëruar se me marrjen e përgjegjësive Kosova po ashtu duhet ti bartë pasojat që mund të vijnë si rezultat i këtyre vendimeve.
/Koha Ditore/