Objektivi qeveritar do të jetë fuqizimi i sundimit të rendit
Prishtinë, 1 mars - Në të gjitha takimet, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës, e përgëzuan Thaçi për rizgjedhjen në postin e kryeministrit dhe për formimin e institucioneve të reja, duke shprehur bindjen që reformat e gjithmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion vetëm sa do të thellohen në mandatin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Thaçi.
Nga ana e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi amabasadorin Hans Dieter Steinbach, amabasadorin Alan Van Gucht dhe ambasadorin Jean François Fitou për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, Belgjikës dhe Francës për Republikën e Kosovës në procesin e lirisë, pavarësisë, demokratizimit dhe zhvillimit të Kosovës.
Objektivi kryesor i kabineti të ri qeveritar do të jetë fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit, qeverisja e mirë, transparente, efikase dhe efektive, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjithë këto në funksion të implementimit të plotë të standardeve të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO theksoi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi në takimet me ambasadorët e Gjermanisë, Belgjikës dhe Francës, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të përbashkët.