Nxitja e urrejtjes në prag të zgjedhjeve të Serbisë
Prishtinë, 12 prill - Republika e Kosovës , kohëve të fundit po përballet me një organizim të vizitave të udhëheqësve të Serbisë në Kosovë si pjesë e fushates parazgjedhore të zgjedhjeve të Serbisë.
Gjuriqi e ka bërë Kosovën si vend të tij dhe hynë e del kur të ketë dëshirë sikur që flet gjëra të cilat as në Serbi nuk i thotë dot. Edhe Daçiqi , si trashëgimtar politik i Millosheviqit ishte në vizitë në Graçanicë ku mbajti një fjalim politik. Kryeministri i Serbisë , Aleksander Vuçiq ishte në veri të Kosovës duke folur për Kosovën dhe pasuritë e saj si pjesë dhe prona të Serbisë.
Gjenerali Bojoviq , i arrestuar , ndonëse 80 vjeçar dhe shfytëzues i dy pensioneve ( atë të Serbisë për shërbime që i ka bërë si dhe atë të Kosovës , për dëmet që ia ka bërë , së bashku me gruan Nadezhda) dhe i dyshuar për krime lufte ( së paku në bazë të përgjegjësisë komanduese ) ka hyrë në Kosovë kur ka dashur kurse ultrashovinisti Sheshel , i liruar nga Tribunali i Hagës , ka paralajmëruar vizitë në Kosovë në prag të zgjedhjeve të Serbisë e që do të mbahen edhe në Kosovë. Gjatë këtyre vizitave ata sillen sikur të ishin në Serbi , nxisin urrejtje në baza etnike dhe nuk i përfillin fare ligjet e Kosovës.
Ata në këso ekskurzione shoviniste shoqërohen me udhëheqësit më të lartë të Kishës ortodokse serbe prej të cilëve edhe marrin bekimin. Serbia , që nga përfundimi i luftës i ka organizuar të gjitha zgjedhjet e Serbisë në Kosovë , me ndihmën e ndërkombëtarëve , OSBE së në radhë të parë kurse bartësit e institucioneve të Kosovës përveç një kundërshtimi verbal nuk kanë bërë asgjë për të penguar organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Edhe tash udhëheqësit kosovarë po deklarojnë se nuk do të lejojnë që të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë në ndërkohë që liderët e Serbisë në Kosovë , për përfitim të votuesve po përdorin retorikë të sforcuar nacionaliste dhe shoviniste sikur që po premtojnë ndërtimin e 300 shtëpive në veri të Kosovës për serbë në ndërkohë që nuk po lejojnë kthimin e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë në pronat e tyre apo rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga vet serbët dhe politikanët e Serbisë që po e bëjnë një fushatë shoviniste të papenguar nga askush dhe po hyjnë dhe dalin sikur në bahçe të babës!
Le të provojnë udhëheqësit kosovarë të organizojnë fushatë parazgjedhore në Luginën e Preshevës e lëre më të organizojnë zgjedhje lokale apo parlamentare ?! Në ndërkohë që udhëheqësit e Serbisë bëjnë kryqe në manastire dhe kisha në Kosovë së bashku me krerët e kishës , le të dali një lider i Kosovës e ti bëjë këso veprime me liderët e BIK- ut e të mos akuzohet si radikal islamik!Nga ndërkombëtarët në radhë të parë!
Është koha e fundit që liderët kosovarë të mbledhin mendjen dhe të demonstrojnë se Kosova është shtet dhe duke mos lejuar përhapjen e histerisë shoviniste të udhëheqësve serbë në Kosovë, duke mos lejuar që ata që shpërndajnë urrejtje të hyjnë në Kosovë. Serbët e Kosovës që kanë dy shtetësi ( të Serbisë dhe Kosovës ) mund të votojnë në Serbi apo me postë elektronike e jo të lejohet që të hapen vendvotimet për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.
Liria e lëvizjes dhe liria e fjalës nuk mund të përdoren për qëllime politike duke nxitur urrejtje etnike. Përfundimisht , liderët e Serbisë po e keqpërdorein skajshmërisht tolerancën jo normale të udhëheqësve të Kosovës duke kontribuar në tensionimin e situatës. Për çudi ky eskurzion nacionalist dhe shovinist nga Serbia nuk po i pengon as ndërkombëtarët!