Nxënësit kosovarë prezantojnë Kosovën në shkollat suedeze
Prishtinë, 19 shkurt - Një grup i nxënësve nga tri shkollat e mesme kosovare, duke përfshirë ata të shkollës së mesme Aga Xhite, Universum dhe të shkollës së mesme publike të komunës së Kaçanikut, po prezantojnë Republikën e Kosovës para nxënësve suedez në shkollat e mesme të komunës së Stromstadit në Suedi.
Në shkollat e kësaj komune nxënësit kosovarë po shfaqin programin e tyre informues dhe edukativ për Republikën e Kosovës, para nxënësve suedezë, në përvjetorin e tretë të shpalljes së pavarësisë.
Kjo vizitë, që është mundësuar nga kolegji Aga Xhite, dhe e cila mbaron sot, më 19 shkurt, është kurorëzuar edhe me binjakëzimi e shkollave të mesme kosovare me gjimnazin më prestigjioz të Stromstadit.
Binjakëzimi i shkollave të mesme të Kosovës me gjimnazin më prestigjioz të Stromstadit ka për qëllim arritjen e objektivave dhe kualiteteve të reja arsimore për nxënësit kosovar, si dhe binjakëzimin e vlerave të arsimit kosovar me atë të standardeve më të larta evropiane ka thënë Mujë Berisha, drejtor i Kolegjeve Aga Xhite dhe Universum.
Përveç programit informues për vendlindjen e tyre, më 18 shkurt nxënësit kosovar gjithashtu kanë qenë pjesë e kremtimit të tre-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Suedi, ku të pranishëm ishin më shumë se 300 pjesëmarrës.
Qëllimi i kolegjit të parë privat në vend, Aga Xhite, sipas Berishës, mbetet formimi i një etape të re të arsimit shqip në Kosovë, dhe binjakëzimi me shkollat e mesme evropiane që me vite kanë ndërtuar vlerat më të mira arsimore.
Shpresojmë të jetë një kontribut i vlefshëm, prej të cilit në mënyrë të drejtpërdrejt do të përfitojnë gjeneratat e ardhshme të këtij vendi, ka thënë drejtor i kolegjeve, Aga Xhite dhe Universum, Mujë Berisha.