23 Janar 2025

Numri të pagjeturve arrin në 1655

Prishtinë, 15 prill - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, i kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare, shqyrtoi rekomandimet e grupit punues lidhur me peticionin për zbardhjen e fatit të profesor, Ukshin Hoti.

Për të diskutuar për këtë çështje, i pranishëm ishte edhe drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërgjaliu.

Duke folur për angazhimet e deritashme të këtij departamenti,  Gërgjaliu njoftoi për sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë punës së tyre për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.  Ai tha se departamenti që ai udhëheqë, Komisioni Qeveritar për Zbardhjen e Fatit të Personave të Pagjetur, si dhe nën komisionet, punojnë në bazë të një memorandumi të nënshkruar që nga koha e UNMIK-ut. 

Ky memorandum,  tha ai, nuk i përshtatet rrethanave të tanishme, ndërkaq, shprehu nevojën e ndryshimit të tij. Në vijim, Gërgjaliu foli edhe për barrierat e tjera në të cilat hasin, përfshirë këtu përkrahjen e pamjaftueshme të Qeverisë, mungesën e laboratorit për kryerjen e analizës së ADN-së, mungesën e antropologëve, si dhe mos organizimi i trajnimeve për stafin, ndërkaq, falënderoi Ambasadën e Zvicrës dhe atë të Belgjikës për ndihmën e ofruar.

Në vijim, ai njoftoi edhe për numrin e të pagjeturve, për të cilin tha se arrin në 1655, prej të cilëve më se 400, i përkasin komunitetit joshqiptar. Lidhur me fatin e profesor Ukshin Hoti, ndërkaq, drejtori Gërgjaliu njoftoi se ata këtë çështje e kanë ngritur në të gjitha rastet dhe në të gjitha  instancat që u është dhënë mundësia gjatë punës së tyre.

Pas kësaj, kryesuesja e grupit punues për  shqyrtimin e këtij peticioni, deputetja Mexhide Mjaku- Topalli, paraqiti rekomandimet për këtë peticion, i cili në mënyrë unanime u përkrah nga komisioni.

Në këtë mbledhje, komisioni vendosi që të përsëritë konkursin për  Avokatin e Popullit, pasi që Kuvendi nuk ka mundur të zgjedhë atë në mbledhjen e shkuar plenare.

Në fund të mbledhjes së sotme, me kërkesë të përfaqësuesve të opozitës në komision, është diskutuar edhe për  peticionin kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)