Numri i lëndëve penale të parashkruara shkon në 8237
Prishtinë, 21 shkurt - Parashkrimi i lëndëve penale paraqet njërin ndër problemet dhe sfidën më thelbësore të konsolidimit të sistemit të drejtësisë.
Raporti monitorues Parashkrimi Ndjekjeve Penale dhe Ekzekutimeve Penale 2001-2012, ka shfaqur një tendencë shqetësuese mbi trendin e parashkrimit të lëndëve penale.
Në këtë raport monitorues, është treguar që në vetëm 17 gjykata komunale, numri i lëndëve penale të parashkruara shkon në 8237 sosh. Vetëm gjatë viteve 2011 dhe 2012, kemi 889, respektivisht 1089 lëndë penale të parashkruara.
Po ta llogaritet në përqindje, del se rreth 22.3 % e totalit të lëndëve të parashkruara i përkasin vetëm viteve 2011/12.
Një rritje e tillë e numrit të lëndëve penale të parashkruara ka ndodhur në kohën kur Strategjia për Reduktimin e Lëndëve të Vjetra do të duhej të jepte efektin e saj.
Raporti tregon që gjatë vitit 2012, numri i lëndëve penale të parashkruara ka qenë më i larti që nga viti 2001.
Ky raport, në kundërshtim me deklarimet e zyrtarëve të lartë të gjyqësorit, për ndalim të trendit të parashkrimit të lëndëve penale, ka treguar ritëm krejt të kundërt të numrit të lëndëve të parashkruara.
Për më keq, rritja e numrit të parashkrimit të lëndëve penale gjatë dy viteve të fundit, ekspozon se tendenca e parashkrimit të lëndëve penale do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga gjithsej 8237 lëndë penale që janë parashkruar nga 17 Gjykata Komunale që janë marrë në shqyrtim, mbi 35.3% e tyre që janë të kategorizuara i përkasin parashkrimit relativ, ndërsa 47.5% i përkasin parashkrimit absolut ndërsa 17.1% janë të pa kategorizuara ose janë ekzekutime të dënimeve.
Për lëndët e parashkruara në aspektin relativ, praktikisht duhet të fajësohen gjyqtarët, të cilët duke mos ndërmarrë asnjë veprim, kanë lejuar vjetërsimin e këtyre lëndëve.
Gjykatësit në vend se të luftojnë veprat e ndryshme të dënuara me ligjet në fuqi, të gjykojnë dhe të dënojnë shkelësit e ligjeve në fuqi dhe të Kodit Penal të Kosovës, ata me këto veprime kanë amnistuar kryesit e veprave të ndryshme penale.
Gjykatësit, duke i mbajtur lëndët e tyre nëpër sirtarë (duke mos i shqyrtuar), dhe njëkohësisht duke lejuar që këto lëndë të parashkruhen, kanë pamundësuar ndërmarrjen e çfarëdo veprimeve penale kundër kryesve të ndryshëm të veprave të caktuara penale.
Me këtë veprim, gjykatësit kanë shkelur mbi parimin e një gjykimi të drejtë e të pa-anshëm, duke mundësuar kështu vendosjen e një precedenti të rrezikshëm.
Në raport pasqyrohet edhe fakti që në kuadër të lëndëve të parashkruara, ka edhe lëndë që hyjnë në kuadër të kapitullit të XXIX të KPK-së, të klasifikuara si: veprat penale kundër detyrës zyrtare. Në kuadër të këtij kapitulli, raporti tregon që në vetëm 17 gjykata komunale, kemi 31 raste të korrupsionit që janë parashkruar.
Rritja e numrit të parashkrimit të lëndëve penale ka ardhur edhe si pasojë e mos kërkimit të përgjegjësisë nga ana e organeve mbikëqyrëse.
Deri më tani, Zyra e Prokurorit Disiplinor, për mbi 8000 lëndë të parashkruara në 17 gjykata komunale, ka iniciuar hetim për vetëm 10 raste, prej të cilave, 6 i ka dërguar në komisionet përkatëse disiplinore, ndërsa 4 i ka hedhur poshtë.
Me gjithë se sistemi gjyqësor nga viti 2013 ka një strukturë të re organizative, ritmi i parashkrimit të lëndëve penale do të vazhdojë.
Gjyqësori në Kosovë, ballafaqohet me probleme substanciale dhe si i tillë, vështirë se do të mund të ndalojë trendin e parashkrimit të lëndëve penale edhe në vitet në vijim.
Por, institucionet mbikëqyrëse nuk mund më të rrinë duarkryq përballë kësaj dukurie duke lejuar ikjen nga përgjegjësia e gjykatësve që lejojnë parashkrimin e lëndëve.
Trendi në rritje i parashkrimit të lëndëve penale do të duhej të fillojë të bie tash me organizimin e ri të sistemit të drejtësisë.