Nuk ka shkelje në procesin e demarkacionit
Prishtinë, 30 mars - Ekspertët ndërkombëtarë ia dorëzuan Presidentes Jahjaga raportin me vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Anëtarët e komisionit ad-hoc të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, Fletcher Burton, Herbert Wilmes dhe Fred Newton, pas një pune dyjavore, ia dorëzuan sot Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, raportin me vlerësimet për procesin e përcaktimit të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga dhe anëtarët e Komisionit dhanë nga një deklaratë para mediave.
Në deklaratën e saj, Presidentja Jahjaga tha:
Para pak minutash, komisioni ad-hoc i ekspertëve ndërkombëtarë ma dorëzoi raportin me vlerësimin e tyre për procesin e përcaktimit të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Nga aspekti ligjor dhe teknik, ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe kanë vlerësuar se nga ky pikëvështrim procesi u është përmbajtur standardeve ndërkombëtare.
Njëkohësisht, komisioni ka vlerësuar se ky proces i demarkacionit është dashur të jetë më transparent, siç e kërkon praktika evropiane, përfshirë familjarizimin e publikut kosovar me procesin e vendosjes së kufirit, ligjet në fuqi, hartat kartografike dhe gjetje gjeodezike.
Dua të nënvizoj që raporti i ekspertëve përbën një vlerësim të pavarur, në përputhje me mandatin e ekspertëve dhe të komisionit, që të sigurojmë një vlerësim shtesë për procesin e demarkacionit.
Siç e dini, ky komision, i thirrur dhe i përzgjedhur nga unë para dy javësh për të vlerësuar këtë proces të demarkacionit, gjatë punës së tij ka biseduar me një spektër të gjerë profesionistësh, qytetarësh dhe udhëheqës partiakë e institucionalë.
Atë e kam krijuar pas shqetësimeve të ngritura rreth vijës kufitare shtetërore mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe si rezultat i bisedimeve me gjithë spektrin politik, si një zgjidhje institucionale për t'i adresuar parregullsitë eventuale në këtë proces.
Dua të falënderoj z. Fletcher Burton, z. Herbert Wilmes, z. Fred Newton, për punën e tyre dhe njëkohësisht të gjithë bashkëbiseduesit e tyre në Kosovë për bashkëpunimin e tyre me ekspertët.
Ftoj institucionet e Kosovës dhe spektrin politik që të reflektojnë dhe t'i marrin parasysh këto vlerësime dhe rekomandime.