Nuk ka seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri të Kosovës
Prishtinë, 11 prill - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar rendin e ditës për seancën e së enjtes.
Pos pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, seancës i propozohet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.
Megjithëse qëndrimet për renditjen në seancë të këtij projektligji kanë qenë të ndryshme (përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e kanë quajtur të domosdoshëm miratimin e tij para datës 14 prill, kurse e kanë kundërshtuar përfaqësuesit nga radhët e opozitës, derisa ai të mos ndryshohet, sipas asaj që është kërkuar në seancën e fundit), me shumicë votash është vendosur që projektligji në fjalë të radhitët për seancë plenare.
Duke qenë se kërkesa e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri të Kosovës, nuk ka gjetur mbështetje në takimin e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare (sepse nuk janë krijuar kushtet që i parasheh Rregullorja e Punës për një seancë të tillë), e vetmja mundësi ka mbetur që para miratimit të rendit të ditës së seancës së nesërme parashtruesi ti kërkojë seancës që debatin për gjendjen në veri ta radhisë si çështje urgjente.