Norvegjia jep 75 mijë euro për projektin e mamografit mobil
Prishtinë, 25 maj - Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë dhuroi 75 mijë euro për projektin e mamografit mobil, projekt i Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.
Ky projekt ka të bëjë me blerjen e kësaj pajisjeje, dhe do të ofrojë shërbime të kontrollit dhe diagnostifikimit të kancerit të gjirit dhe mitrës për gratë në të gjitha viset e Kosovës.
GGD-ja për këtë arsye nënshkroi një memorandum të bashkëpunimi edhe me këtë ambasadë. Memorandumi u nënshkrua nga kryetarja e GGD-ës, znj. Teuta Sahatqija dhe ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu.
Menaxherja e projektit, deputetja Donika Kadaj Bujupi, tha se sot po fillon zbatimi i projektit, falë veprimit fisnik të Ambasadës dhe ambasadorit.
Ajo e falënderoi ambasadorin në emër të grave të Kosovës për ndihmën e tij në blerjen e mamografit mobil dhe më këtë rast i ftoi donatorët e tjerë që të ndjekin rrugën e Ambasadës Norvegjeze.
Ambasadori Braathu tha se është i impresionuar me punën e GGD-ës, që është shembulli shumë i mirë se si deputetët duhet të ndihmojnë popullin. Në këtë rast deputetet kujdesen për shëndetin e gruas.
Ai tha se kjo është iniciativë, jo vetëm humane, por edhe ekonomike, kur kihen parasysh efektet e testimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
Ai po ashtu ftoi personat dhe organizatat, të cilët kanë mundësi ta përkrahin këtë nismë, duke kontribuar me aq sa kanë mundësi.
Kryetarja e GGD-ës, znj. Teuta Sahatqija e njoftoi ambasadorin Braathu se ky projekt është gjithëpërfshirës, pasi përfshin edhe përgatitjen e stafit profesional, që do të punojë me të, si dhe mirëmbajtjen e tij.
Anëtarja e Bordit të GGD-ës Alma Lama tha se ky projekt ka agjendë të dyfishtë, së pari do të kujdeset për shëndetin e grave, dhe së dyti për ngritjen e vetëdijesimit për rolin e tyre në familje dhe shoqëri.
Ndërsa, Suzan Novobërdali tha se ky mamograf do të udhëtojë edhe nëpër viset ku jetojnë minoritetet në Kosovë dhe do të shërbejë si urë lidhëse mes komuniteteve.
Për blerjen e kësaj aparature GGD-ja, ditë më parë ka nënshkruar memorandumin e parë me KCSF-ën, e cila do të menaxhojë fondet dhe procedurat e blerjes deri në momentin e dorëzimit , kurse sot ky memorandum që u nënshkrua shënon fillimin e mbledhjes së fondeve.