Norvegjia e gatshme t’i ndihmojë Kosovës në parandalimin e virusit Korona
Prishtinë, 19 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.
Takimi u mbizotërua nga diskutimi mbi situatën e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID- 19.
Ambasadori Grondahl, derisa bashkëndjeu me situatën e shëndetit publik të krijuar si rezultat i pandemisë, shprehu gatishmërinë për t’i ofruar ndihmë Republikës së Kosovës në përpjekjet e saj për parandalimin e shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit Korona.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimet e sinqerta për përkrahjen e shtetit Norvegjez dhe bëri thirrje për solidaritet në mes të gjitha shteteve të cilat po ballafaqohen me pandeminë COVID- 19.
Të dy u zotuan të shtojnë bashkëpunimin në mes dy shteteve në të gjitha fushat.