Norvegjia do të japë kontribut për blerjen e Mamografit mobil
Prishtinë, 23 maj - Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga znj. Teuta Sahatqija, priti sot në një takim ambasadorin Norvegjisë në Kosovë, Jan Brathu. Znj.
Teuta Sahatqija e njoftoi mysafirin me angazhimet e GGD-ës, e në këtë kuadër edhe për projektin që ka të bëjë me blerjen e Mamografit mobil.
Ajo tha se në këtë projekt GGD-ja ka partnerë, ndërsa ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me KCSF-ën, i cili ka marrë përgjegjësinë lidhur me fondet dhe menaxhimin e tyre.
Znj. Donika Kadaj Bujupi, menaxhere e projektit, foli për takimet e shumta që GGD-ja po i bën për këtë qëllim, duke shpjeguar se ky projekt, pos blerjes së aparaturës mobile përfshin edhe përgatitjen e ekspertëve, mirëmbajtjen, sensibilizimin e grave etj.
Deputetja Lama tha se ky është projekt, nga i cili do të përfitojnë të gjitha gratë e të gjitha komunave dhe të të gjitha nacionaliteteve.
Ambasadori Brathu pasi përgëzoi deputetet për këtë iniciativë kaq të mirë, premtoi se Norvegjia do të japë kontribut për realizimin e kësaj nisme.
Pritet që më 25 maj të nënshkruhet memorandumi mes GGD-ës dhe Ambasadës Norvegjeze.