Nobelistja Karman vlerëson shtetndërtimin e Kosovës
Prishtinë, 1 qershor Nobelistja e njohur nga Jemeni, Tawakkol Karman që po merr pjesë në punimet e konferencës ndërkombëtare ndërfetare të edicionit të pestë Interfaith Kosovo, ku po diskutohet për rolin e gruas në luftimin e ekstremizmit, ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit Publik Hasan Prishtina.
Në ligjëratën me temë Paqja dhe nevoja për luftimin e terrorizmit në Lindjen e Mesme, nobelistja e paqes Karman ka folur për sfidat e shtetndërtimit të Kosovës dhe perspektivën e saj.
Ajo ka vlerësuar pozitivisht përparimet e bëra në Kosovë që nga pas lufta, duke përmendur sistemin demokratik të krijuar në shtetin e ri.
Nobeliisja Karman ka bërë thirrje për ruajtje të këtyre vlerave, të cilat botës mund ti shërbejnë si udhërrëfim. Më tej, ajo ka shtuar se nuk është lehtë të dalësh nga lufta dhe të ndërtosh shtet. Para jush keni detyra të mëdha e të rëndësishme. Kosova me gjithë diversitetin që ka shpreson dhe vepron për tu integruar në BE. Dhe kjo është një çështje madhore. Shpresoj dhe besoj se ju këtë do ta realizoni shpejt. Në përmbyllje të ligjëratës, nobelistja Karman ka theksuar se studentët e Kosovës do të jenë e ardhmja e Evropës.
Karman është bashkë-fituese e çmimit Nobel për paqe në vitin 2011, duke u bërë personi i parë nga Jemeni dhe gruaja e parë arabe që fiton këtë çmim. Ajo është gazetare nga Jemeni, politikane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Ndërkohë që udhëheqë grupin Women Journalists Without Chains.