Njohja nga Egjipti, inspirim për botën arabe
Prishtinë, 14 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti sot në takim një delegacion të lartë të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme, i cili po viziton Republikën e Kosovës.
Pas takimit, ministri Hoxhaj dhe udhëheqësi i delegacionit, ambasadori Mohamed Ibrahim Mahmoud Shaker, kanë mbajtur një konferencë për gazetarë, me çrast ambasadori Shaker tha se në çdo moment pritet njohja e Kosovës nga Egjipti dhe se kjo njohje do ti hap udhë edhe njohjeve të tjera të asaj pjese të botës.
Ministri Hoxhaj, pas takimit tha se Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë lidhje të fuqishme historike me popullin e Egjiptit, duke shprehur interesimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me Egjiptin në fusha të ndryshme.
Jemi të interesuar jo vetëm që të ketë vendosje të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona dhe kultivim të fuqishëm të këtyre relacioneve në nivel të qeverive tona, por mbi të gjitha jemi të interesuar që të ketë bashkëpunim ndërmjet popujve tanë, prej fushës së politikës e diplomacisë, deri tek ekonomia, tregtia, arsimi, shkenca dhe kultura, tha ai.
Ministri Hoxhaj theksoi se Egjipti mund të ndihmojë Republikën e Kosovës edhe në fuqizimin e partneritetit me shtetet tjera të Ligës Arabe, Afrikës dhe atyre në Organizatën për Bashkëpunim Islamik.
Duke iu referuar marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, Hoxhaj tha se Serbia me këtë marrëveshje e ka pranuar sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial të Kosovës, Kushtetutën e Kosovës dhe institucionet e saj.
Andaj, nuk ka asnjë arsye politike apo ndonjë argument juridik që Egjipti apo shtetet e tjera ta shtyjnë njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe ne shpresojmë që një vendim i tillë do të merret së shpejti në ditët e ardhshme, tha Hoxhaj, duke falënderuar Egjiptin për votën pro anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Udhëheqësi i delegacionit të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme, ambasadori Mohamed Ibrahim Mahmoud Shaker, në fjalën e tij ka shprehur mbështetjen e popullit dhe Qeverisë së Egjiptit për popullin e Kosovës, aspiratat dhe të arriturat e tij në vitet e fundit.
Ju premtoj se shumë shpejt do të bëhet edhe njohja nga Egjipti dhe do të vendosen edhe marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve, tha Shaker, duke iu referuar edhe deklaratave të kryeministrit të Egjiptit për njohjen e Kosovës gjatë takimit me kryeministrin Thaçi në Stamboll.
Lidhur me mosnjohjen e deritashme të Kosovës nga Egjipti, ai tha se kjo ka ndodhur për shkak të fazave dhe periudhave të vështira nëpër të cilat ka kaluar Egjipti kohët e fundit, duke shtuar se tani besoj se ka ardhur koha dhe janë pjekur kushtet që kjo njohje të vij dhe të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Shaker po ashtu tha se shtetet islame nuk e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, duke shprehur bindjen se njohjet nga këto shtete pritet të vijnë së shpejti.
Unë jam i bindur se pas njohjes nga Egjipti do të vijnë edhe njohjet tjera, qoftë edhe nga shtetet islame por dhe nga shtetet afrikane dhe arabe, tha ambasadori Shaker.
Ai ka premtuar kontribut të madh edhe nga ana e Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme për Kosovën, duke shprehur interesimin e këtij institucioni për avancimin e bashkëpunimit bilateral me institucionet kosovare për punë të jashtme, përfshirë edhe Akademinë Diplomatike të Kosovës.
Ambasadori Shaker ka shprehur përkrahjen e Egjiptit edhe për marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve, të arritur në Bruksel, duke e quajtur një përparim shumë të madh.