Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativë
Prishtinë, 16 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, znj. Viola von Cramon.
Kryeministri Kurti falënderoi europarlamentarët për angazhimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe tek pesë vendet mosnjohëse, për përkrahjen dhe votimin për liberalizimin e vizave dhe për mbështetjen me vaksina përmes COVAX.
Po ashtu kryeministri u shpreh mirënjohës për vizitën dhe për gatishmërinë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor për komunat që mbahet nesër, më 17 tetor.
Zgjedhjet parlamentare kanë sjellë stabilitet institucional dhe legjitimitet demokratik që ka rezultuar me rritje të besimit në institucione e për rrjedhojë edhe zhvillime tjera pozitive sikurse rritja ekonomike, rritja e të hyrave dhe e investimeve, tregues të qartë të efekteve pozitive të ndryshimeve demokratike që erdhën nga zgjedhjet e 14 shkurtit, tha kryeministri.
Ai shprehu besimin që edhe zgjedhjet lokale nesër do të zhvillohen paqësisht dhe me pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
Europarlamentarët u interesuan për operacionin e Policisë së Kosovës, të datës 13 tetor dhe kryeministri shpjegoi se ishte operacion kundër kontrabandës dhe kriminalitetit dhe përfshinte 26 lokacione të ndryshme në gjithë territorin, 5 nga to në Mitrovicën Veriore.
Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore, tha ai.
Lidhur me interesimin e eurodeputetëve për bisedimet me Serbinë, kryeministri tha se nuk kanë alternativë, por duhet kuptuar se as njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativë.
Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke, tha ai.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi foli për mbarëvajtjen e negociatave për zgjidhjen e përkohshme për targat dhe pritjet për gjetjen e zgjidhjes së përhershme.
Përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon falënderoi institucionet e Kosovës për pranimin dhe ndihmën e ofruar për refugjatët afganë, si dhe i përgëzoi për reformat e nisura në drejtësi, përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për ruajtjen e stabilitetit institucional.
Kryeministri Kurti kërkoi nga deputetët e Parlamentit Evropian që të jenë më të zëshëm në mbështetje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave e të mendimit në Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi se nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa pranimin e vlerave të BE-së.
Pjesë e delegacionit ishin europarlamentarët znj. Roza Thun und Hohenstein (EPP), znj. Evin Incir (SD), z. Thijs Reuten (SD), z. Javier Nart (RENEW Europe), znj. Michele Rivasi (Greens/EFA), z. Timo Knaute, përfaqësuesit e Sekretariatit të Parlamentit Evropian z. Francesco Ronchi, z. Raffaele Luise, znj. Michele Rivasi, këshilltarët politikë z. Blagoy Klimov, z. Jörgen Sil, z.Simon Schelde Christensen, znj. Gesa Storz.