Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Katari, pritet formalizimi
Doha, 7 shtator - Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Katar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u prit nga Princi i Katarit, Tamim Bin Hamad Al Thani.
Kryeministri Thaçi e falënderoi Princin Al Thani për ndihmën që Katari i ka dhënë shtetit dhe popullit të Kosovës në vazhdimësi dhe vecanërisht për mbështetjne gjatë procesit të anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Kryeministri Thaçi e njoftoi Princin Al Thani për arritjet e shtetit të Kosovës dhe për hapat që ka ndërmarrë Qeveria për zhvillimin e vendit.
Princi Al Thani e falënderoi Kryeministrin Thaçi për vizitën ne Katar dhe i konfirmoi atij se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Katari më tutje nuk është çështje e hapur, është një punë e përmbyllur dhe se pritet vetëm formalizimi i vendimit .
Ne e njohim dhe e respektojmë vullnetin e popullit të Kosovës. Ftesa jonë për ju dhe takimi ynë i sontëm është shprehje e vullnetit tonë për të njohur Kosovën dhe shënon fillimin e një kapitulli të veçantë në marrëdhëniet e dy popujve tanë miq, u shpreh Princi Al Thani.
Kryeministri Thaçi dhe Princi Al Thani u pajtuan për thellimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, me theks të veçantë në marrëdhëniet ekonomike.
Kryeministri Thaçi e njoftoi Princin Al Thani për projektet e mëdha në fushën e zhvillimit ekonomik dhe i ftoi investitorët potencialë nga Katari që të jenë prezent në Kosovë.
Princi Al Thani i premtoi Kryeministrit Thaçi se së shpejti do të dërgojë një ekip zyrtar në Kosovë për të shqyrtuar mundësitë më të mira për investime në Kosovë.
Kryeministri i Katarit, i cili është njëkohësisht edhe Ministër i Punëve të Jashtme, Sheikh Hamad Bin Jassim Bin Jabr Al-Thani shtroi një darkë pune për nder të Kryeministrit Thaçi. Gjatë takimit, u rikonfirmua qëndrimi i Katarit në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për thellimin e marrëdhënieve bilateral ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri Thaçi e ftoi për një vizitë zyrtare në Kosovë Emirin Al Thani dhe Kryeministrin Hamad Bin Jassam Al Thani.
Gjatë ditës, kryeministri Thaçi ka zhvilluar takime edhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar dhe atë të Turqisë, në Katar.