Njohja e Kosovës, nis koordinimi për lobim
Prishtinë, 8 qershor - Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj më në fund kanë arritur të takohen për të diskutuar strategjinë e lobimit.
Hoxhaj thotë se aktivitetet e tij diplomatike dhe të Pacollit janë pjesë e një plani dhe strategjie të përbashkët. Por ka mohuar se Pacollin gjatë udhëtimeve do ta shoqërojnë zyrtarë të MPJ-së.
Takimin e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Jashtme, në një prononcim për gazeten Express ku ka sqaruar se Pacollit ia ka shpjeguar strategjinë e MPJsë për çështje të lobimit për njohje.
Unë kam informuar z. Pacolli për përmbajtjen e dokumentit. Kam informuar që dokumenti përbëhet prej pjesës së përgjithshme. Pjesa e përgjithshme mbi të gjitha e analizon lindjen dhe krijimin e shtetit të Kosovës, kontekstin e arritjes së numrit të njohjeve dhe mandej argumentet që duhen të përdoren që të binden shtetet e caktuara për njohje, ka thënë Hoxhaj.
Kryediplomati i Kosovës ka sqaruar edhe më tej përmbajtjen e dokumentit të cilin ka thënë se Pacolli tashmë e ka në dorë.