Njohja e Kosovës nga Egjipti do të bëhet së shpejti
Prishtinë, 7 nëntor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ndihmës presidenten e Republikës Arabe të Egjiptit, znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy.
Pasi e përshëndeti për vizitën, znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy, kryekuvendari Krasniqi vlerësoi vizitat që po bëhen ndërmjet dy shteteve -Kosovës dhe Egjiptit, ndërsa në vijim përshëndeti ndryshimet që ndodhën në Egjipt pas revolucionit, duke uruar që sa më shpejt ky shtet mik të kalojë periudhën e tranzicionit.
Megjithëse, pavarësia e Kosovës ende nuk është njohur nga Egjipti, ato kanë marrëdhënie shumë të mira, u shpreh kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi, duke përkujtuar edhe miqësinë e lashtë ndërmjet popullit egjiptian dhe popullit shqiptar.
Pasi vlerësoi se Egjipti është një vend i fuqishëm dhe me ndikim, kryetari i Kuvendit Krasniqi tha se njohja e Kosovës nga ana e Egjiptit do të ndikonte shumë që edhe vendet tjera ta njohin Kosovën, efekti i së cilës do të ishte shkurtimi i rrugës drejt anëtarësimit të Kosovës në OKB, pohoi kryekuvendari Krasniqi.
Në këtë frymë ai shfaqi shpresën se Egjipti shpejt do të ketë ambasadorin në Kosovë.
Duke u falënderuar për mikpritjen znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy theksoi se edhe kjo vizitë është një reflektim i ri nëpër të cilin po kalon Egjipti. Këto vizita janë shpeshtuar veçanërisht pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Egjiptit.
Tani Egjipti po kalon periudhën e formimit të institucioneve dhe ndryshimeve të gjithmbarshme, ndaj në këto rrethana, do të ndihen efektet në raportin e Egjiptit me Rajonin dhe Kosovën.
Ajo shfaqi shpresën se pavarësia e Kosovës nga ana e Egjiptit do të njihet së shpejti, sepse në Egjipt po mbretëron një klimë e re edhe në lëmin e krijimit të marrëdhënieve të reja me shtetet e ndryshme të botës, e në këtë kuadër edhe ndaj Kosovës.
Znj. Pakinam Hassan Khalil El Sharkawy e përgëzoi kryekuvendarin Krasniqi për ndryshimet e bëra, si fryt i luftës së popullit të Kosovës.
Kryekuvendari Krasniqi me këtë rast i bëri edhe një vështrim të gjerë të kaluarës së hidhur të Kosovës, e cila u pushtua nga Serbia para 100 vjetësh.