Një delegacion nga Zagrebi viziton Komunën e Prishtinës
Prishtinë, 20 mars - Me ftesë të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti vjen në Prishtinë një delegacion nga Zagrebi i drejtuar nga Kryetari i Zagrebit, Milan Bandić.
Që në mengjesin e 20 marsit, grupet e punës të ndarë sipas çështjeve të drejtuara nga Drejtorët e Komunës së Prishtinës do të punojnë me kolegët nga Zagrebi programet e përbashkëta të çështjeve që do të kthehen në të ardhmen në marrëveshje bashkëpunimi dhe ndihme.
Në mesditë grupet e punës përballë bizneseve nga Kosova dhe Kroacia do të prezantojnë rezultatet e para të iniciativave që pritet t\'i realizojnë së bashku.
Forumi i bashkëpunimit Prishtinë - Zagreb 2014 i organizuar me këtë rast, do të përmbyllet me konkluzionet dhe dakordimet e kryetarëve Shpend Ahmeti dhe Bandić.
Temat që pritet të diskutohen nesër lidhen me çështjen e furnizimit me ujë, menaxhimi i mbeturinave, modernizimi i sektorit të Urbanistikës, zhvillimi urban dhe metodat e planifikimit urban, teknikat dhe studimet zonale për projektet e infrastrukturës, zhvillimi ekonomik, koordinimi i ndërmarrjeve dhe shërbimeve publike, dinamizimi dhe cilësia në sektorin e shëndetësisë dhe iniciativat e shpjeta në fushën e kulturës.