Një delegacion i AAK-së nderoi të rënët në Makoc
Prishtinë, 19 prill - Një delegacion nga Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i përbërë nga Ahmet Isufi, nënkryetar, Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm, deputetja Donika Kadaj-Bujupi, kryetare e AGK-së dhe Ernest Luma, anëtar i Kryesisë, ka vizituar sot Kompleksin Memorial të Makovcit, në afërsi të Prishtinës, ku ka nderuar dëshmorët dhe martirët e këtij vendi, në 11-vjetorin e rënies.
Duke kujtuar martirët që ranë në këtë masakër dhe të gjithë dëshmorët e Malësisë së Gollakut, nënkryetari Isufi ka thënë se sakrifica e tyre dhe lufta e lavdishme për liri e popullit të Kosovës qëndrojnë fuqishëm në themelet e shtetit që po e ndërtojmë sot.
Është obligim dhe detyrë e të gjithë neve që ta kujtojmë përherë sakrificën e madhe që bëri populli i Kosovës për lirinë, dinjitetin dhe pavarësinë e vendit dhe, sa herë që përulemi para të rënëve, ne marrim më shumë forcë në punën tonë të përditshme dhe në çaurjen përpara të porosisë së tyre, për një Kosovë shtet në kuptimin e plotë të fjalës, shtet të dinjitetshëm dhe pjesë e familjes së madhe të vlerave europerëndimore, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.