NISMA thonë se kanë fituar 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 17 qershor - NISMA për Kosovën sot ka mbajtur mbledhjen me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve, e para mbledhje kjo pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
NISMA vlerëson se procesi zgjedhor ka arritur standardet e kërkuara me ligj dhe për këtë uron të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe te të gjithë pjesëmarrësit tjerë që kanë ndikuar direkt ose indirekt që ky proces zgjedhor të përmbush standardet ligjore dhe demokratike, dhe gjithashtu presim që edhe kjo fazë e fundit deri në çertifikim të rezultateve të përmbyllet në përputhje të plotë me standardet ligjore, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
Po ashtu, kryesia e NISMA-së analizoi edhe rezultatet zgjedhore të deritanishme.
Shumica e qytetarëve të Kosovës e nxori fitues dhe i dha besimin koalicionit PDK-AAK-NISMA dhe tani kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj e ka edhe besimin qytetar dhe të drejtën kushtetuese për të formuar qeverinë, thuhet në komunikatë.
Në këto zgjedhje, NISMA për Kosovën konstaton se ka pasur rritje mbi 40%, që është një rezultat shumë i mirë i cili ia mundëson që NISMA për Kosovën në Parlamentin e Kosovës të jetë e përfaqësuar me së paku 8 deputetë.
Kjo rritje e rezultatit të NISMA-s ka kontribuar në fitoren e koalicionit tonë, prandaj kryetari Limaj falënderoj anëtarët e kryesisë kryetarët e degëve, strukturat dhe të gjithë ata qindra e mijëra aktivistë e votues anekënd Kosovës dhe në diasporë të cilët nuk kursyen angazhimin e tyre për tia sjellë këtë rezultat të mirë NISMA-s, thuhet më tej në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se në këtë mbledhje kryetari Limaj informoi anëtarët e kryesisë për hapat që po ndërrmirrën menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare për krijimin e qeverisë.
Kryetari Limaj, theksoi se po punohet që sa më shpejtë pas çertifikimit të rezultateve të formohet qeveria me kryeministër, z. Ramush Haradinaj, ku NISMA për Kosovën do të jetë pjesë e kësaj qeverie dhe do të merr përgjegjësitë e veta në ndërtimin e kësaj qeverie dhe bashkëpërgjegjësinë në qeverisje si partner i koalicionit.
Të gjithë anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve vlerësuan angazhimin vizionar të kryetarit Limaj, dhe i dhanë mbështetje të fuqishme, për të vazhduar në këtë frymë në arritjen e objektivave tona.