19 Janar 2025

Nisma të reja bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri më 2014

Prishtinë, 24 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë, Islam Lauka.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka njoftuar ambasadorin shqiptar për progresin në Kosovë, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për avancimin e proceseve integruese evropiane.

Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë.

Ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka, ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur vullnetin e Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e shkëmbimeve të shumanshme me Kosovën.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe ambasadori Lauka kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në kuadër të nismave rajonale si dhe për përkrahjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Po ashtu, është biseduar për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), ku u vlerësua rëndësia e këtij projekti për hartën energjetike të Ballkanit dhe Evropës.

Ministri Hoxhaj gjatë takimit ka folur gjerësisht edhe për proceset integruese evropiane të Kosovë, me ç’rast, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në rrugën e përbashkët integruese evropiane.

Gjithashtu, është biseduar edhe për çështjen e takimeve ndërmjet dy qeverive gjatë vitit të ardhshëm, si dhe për nevojën e vazhdimit të projekteve të përbashkëta dhe inicimin e nismave të reja të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)