NISMA: A i penguan muralet Kadrisë apo Serbisë ?
Prishtinë, 12 tetor - Për NISMA për Kosovën, rimbulimi i muraleve nga ana e Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli është veprim i papranueshëm.
Pa asnjë dyshim ato murale në vetvete paraqisnin historinë dhe identitetin tonë kombëtar dhe perëndimor në mbrojtje të vlerave evropiane, siç ishte Kuvendi i Lezhës. Kujt dhe pse po i pengon pasqyrimi i këtyre vlerave shpirtërore të shqiptarëve?
Arti i atyre muraleve përveç që është nga tema e historisë së lavdishme shqiptare, nuk prek e as cenon ndjenjat njerëzore, kombëtare a civilizuese të asnjë grupi minoritar etnik në Kosovë.
Qytetarët e Kosovës duhet të dinë, pse kryetari i kuvendit Kadri Veseli dha urdhër për mbulimin e këtyre pikturave. A po i pengojnë kryetarit Veseli ato murale dhe ajo përmbajtje e tyre, apo kryetari Veseli ka zbatuar urdhrat e Listës Serbe apo të qeverisë së Serbisë, sepse reagimi aq i shpejtë nga ana e kryetarit të kuvendit për rimbulimin e tyre, nuk ka shpjegim tjetër.
NISMA për Kosovën kërkon nga kryetari i kuvendit që sa më shpejt të zbuloj muralet në kuvend.