Nisin pazaret për koalicione
Prishtinë, 5 nëntor - Ndonëse shumë subjekte politike pësuan debakël nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, megjithatë menjëherë kanë filluar matematikat për koalicione në mes tyre për 25 komunat që edhe njëherë do ti matin forcat në një raund të dytë votimi.
Të dhënat e para preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor tregojnë se partia e kryeministrit Hashim Thaçi ka shënuar rënie të votave në zgjedhjet e sivjetme komunale krahasuar më ato të kaluarat, subjekt ky i cili do të shkojë në balotazh më së paku në 11 komuna, shkruan Zëri.
Për dallim nga PDK-ja, e cila nuk ka arritur ti ruajë disa komuna me të cilat ka qeverisur deri më tani, partia e Isa Mustafës ka shënuar rritje simbolike të votave, e cila në raundin e dytë do ti matë forcat mese 15 komuna, kryesisht me PDK-në dhe AAK-në.
Ndërkaq, partia që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj do të shkojë në balotazh në 7 komuna, madje edhe në ato qendra që deri më tani janë konsideruar bastione të këtij subjekti politik.
Nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit partia e Albin Kurtit ka dalë e dëmtuar duke shënuar rënie të madhe të votave, e cila ka arritur të renditet si subjekti i dytë politik vetëm në kryeqendër, kandidati i së cilës, Shpend Ahmeti, do të shkojë në balotazh me Isa Mustafën e LDK-së.