Nisin negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit
Në hapje të takimit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se hapja e negociatave është meritë e të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe partive politike të Kosovës.
Sipas tij, nga ky moment, Kosova po nis rrugëtimin e saj të sigurt drejt BE-së, që do të pasohet më pas edhe me integrimin e saj në NATO.
"Ne jemi anëtarë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, anëtarë të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, kemi nënshkruar Marrëveshjen Kornizë me Bankën Evropiane për Investime, si dhe Kosova është në fazën finale të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, tha Thaçi.
Sot sipas tij është një ditë historike, sepse po fillon një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i cili ndodhë njëherë në historinë e çdo shteti, pra edhe në historinë e Kosovës.
MSA do të jetë Marrëveshja formale, gjithëpërfshirëse mes shtetin të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, deri në aktin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës në BE.
"Po fillon zyrtarisht një proces që shpie drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ky moment përputhet plotësisht me vizionin tonë për të qenë anëtar i BE-së dhe NATO, tha Thaçi.
Edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mirëpritur nisjen e negociatave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Ky është një hap i rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është hap konkret drejt realizimit të perspektivës evropiane, që do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, ka thënë Jahjaga përmes një deklarate për mediat.
Sipas saj, institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të përmbyllin me sukses negociatat për MSA-në deri në pranverën e vitit të ardhshëm, me qëllim të hapjes së rrugës së anëtarësimit të Kosovës në BE.
Agjenda evropiane sipas saj është prioritet i Republikës së Kosovës që i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.