Nisin festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Nën organizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e tjera të Kosovës, si dhe në të gjitha ambasadat e Kosovës në botë, do të organizohen aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka formuar një Këshill Organizativ, me në krye ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekun, për këtë ditë të shënuar për qytetarët e Kosovës.
Manifestimi qendror do të organizohet më 17 Shkurt, në orën 12:00, në sheshin Zahir Pajaziti në qendër të Prishtinës, me pjesëmarrjen e forcave të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës, dhe e bëjmë këtë, sepse forcat e sigurisë, qoftë ushtria, policia, apo shërbimi korrektues, janë identitet shtetëror. Pikërisht me këto forca që paraqesin identitetin e shtetit, ne dëshirojmë ta shënojmë dhe organizojmë manifestimin qendror, u shpreh Agim Çeku, ministër i FSK-së.
Ministri Çeku, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Organizativ, shpjegon dhe simbolikën e logos së 6-vjetorit.
Simbolizon rrumbullakësimin apo finalizimin e shtetndërtimit dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Është më se e vërtet që ky 6-vjetor po na gjen në një situatë, kur ne jemi pa mbikqyrje ndërkombëtare, shtoi më tej Agim Çeku.
Po ashtu, në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në botë, organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse.