Nishani: Qeveria e re, shembull i shkëlqyer maturie
Tiranë, 10 dhjetor - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka përshëndetur krijimin e qeverisë së re dhe koalicionin e ri qeverisës të Kosovës.
Arritjen e koalicionit qeverisës PDK-LDK, presidenti Nishani e konsideron si një shembull të shkëlqyer maturie dhe përgjegjësie, jo vetëm për të ardhmen dhe adresimin e sfidave të vendit, por me impakt shumë të rëndësishëm edhe për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Nishani ka përshëndetur gjithashtu rolin e luajtur nga presidentja Atifete Jahjaga duke i uruar suksese dhe punë të mbarë Qeverisë së re të Kosovës, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve të Kosovës, si dhe ka shprehur besimin se vazhdimi i negociatave me Serbinë do të kalojë në një fazë më intensive në interesin dhe pritshmërinë e procesit të integrimit evropian të të gjithë rajonit.