04 Maj 2024

Nishani: Heqja e pavarësisë së mbikqyrur, moment historik

Prishtinë, 30 gusht - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Me ftesë të Presidentes Jahjaga, Presidenti Nishani vizitën e tij të parë shtetërore, që pas zgjedhjes në krye të Shqipërisë, e realizon në Republikën e Kosovës.

Presidenti Nishani u prit me ceremoni shtetërore nga ana e Presidentes Jahjaga, dhe më pas të dy presidentët zhvilluan një takim të përbashkët, ku diskutuan për një varg çështjesh me interes.

Më pas Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani drejtuan takimin e delegacioneve të gjera të të dy shteteve.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani theksuan në takim përkushtimin e madh të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë për bashkëpunim gjithnjë e më të mirë mes dy vendeve tona në të gjitha fushat dhe për ndihmesën e ecjen e përbashkët në rrugën e integrimeve ndërkombëtare.

Ata gjithashtu theksuan rëndësinë shumë të madhe të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, që shënon një moment shumë të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.   

Presidentja Jahjaga ka thënë se e çmon lart dëshirën e Presidentit Nishani që vizitën e parë ta bëjë pikërisht në vendin tonë, sepse kjo e ka porosinë dhe simbolikën e vet në këtë 100 vjetor të festimit të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën të parët tanë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në kryengritjet për çlirim kombëtar edhe me pjesëmarrjen aktive në Kuvendin e Vlorës.
 

"Patëm një bisedë të frytshme me qëllim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe të gjithanshëm ndërmjet dy vendeve tona, me qëllim të përparimit dhe zhvillimit të investimeve dhe të daljes së përbashkët në tregjet e treta. U pajtuam që kufiri ndërmjet dy vendeve tona të jetë një kufi evropian që bashkon njerëzit, duke mundësuar një komunikim të lirshëm dhe duke pasur programe konkrete në shfrytëzimin e resurseve tona.", ka theksuar Jahjaga.

Ajo ka theksuar se këtë vit përfundohet rruga e kombit “Ibrahim Rugova” në gjithë segmentin Prishtinë-Durrës dhe kjo do të ndihmojë shumë në këmbimin tregtar dhe në qarkullimin e mallrave dhe dalja e Republikës së Kosovës në portet e Shqipërisë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për plasimin e prodhimeve tona, por dhe për lidhjen ekonomike me të gjitha vendet e botës.

"Ne presidentët, duke paraqitur unitetin e popullit, prezantojmë parimet themelore dhe drejtimet kryesore të politikës. Qeveritë e dy vendeve tona i përjetësojnë me marrëveshjet konkrete të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, shkencor, në shëndetësi dhe në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, dhe ne jemi dhe do të jemi shembull i mirë i bashkëpunimit bilateral dhe rajonal. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve, në interes të përparimit dhe zhvillimit dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon.", u shpreh Jahjaga.

Ndërsa Nishani pasi ka falenderuaur Jahjagën për pritjen është shprehur se në vizitën e tij të parë si president Kosova është e lirë dhe e pavarur.

"Me presidenten patën një bisede mbi arritjet e vendeve tona dhe bashkëpunimin ekonomik, social dhe politik. Bashkëpunimi ynë është ndër më të mirët në rajon. Urova presidenten për përfundimin e pavarësisë së mbikyqyrur", u shpreh Nishani.

Heqja e pavarësisë së mbikqyrur është një moment historik që hap një rrugë të re për Kosovën dhe qytetarët e saj në konsolidimin e shtetit dhe institucionet e saj, për zhvillimin e demokracisë.

"Shqipëria e sheh kontributin e Kosovës si një kontribut të rëndësishëm dhe të patjetërsueshëm në interes të paqes dhe zhvillimit në rajon”.

Nishani theksoi se Kosova e lirë dhe e pavarur nuk është vetëm një realitet i pakthyeshëm por një faktor i rëndësishëm i stabilitetetit dhe paqes në rajon.

Gjithashtu Nishani e ka cilësuar heqjen e pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën si një hap mjaft të rëndësishëm të Kosovës për konsolidimin e shtetit. 

I pyetur se cili është qëndrimi i tij për formati e ri të bisedimeve në dialogun politik me Serbisë dhe Kosovës, kreu i shtetit shqiptar shprehu qëndrimin se komunikimi është i vetmi mjet për të zgjidhur problemet mes 2 shteteve. Nishani theksoi se mbështet këto angazhime të Kosovës.

“Shqipëria ka mbështetur dhe do vijojë të mbështesë angazhimet e Kosovës, të parlamentit e qeverisë në kontaktet dhe bisedimet e komunikimit. Dialogu është mjeti më fikas dhe më evropian i trajtimit sot të të gjitha problemeve që mund të kenë vendet e ndryshme.

"E shkuara e Kosovës ka qenë e mbushur me vështirësi dhe sakrifica, por e ardhmja e gjithë Ballkanit është që të gjithë duhet të komunikojnë dhe sepse dialogu është mjeti për të fituar frymën e zhvillimit e pajtimit dhe prosperitetit” tha ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)