28 Prill 2024

Nis zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë Kosovë-Serbi

Prishtinë, 26 dhjetor -  Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka bërë të ditur se prej ditës së sotëm ka nisur të zbatohet marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e cila u arrit në kuadër të dialogut me Beogradin.

Zyrtarët e ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në mëngjesin e sotëm kanë qëndruar në pikalimin kufitar Kosovë-Serbi në Merdare për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjes dhe sipas tyre çdo gjë është duke u zhvilluar normalisht pa ndonjë problem.

Kjo është hera e parë që nga përfundimi i luftës që qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës lejohen të kalojnë në Serbi, mirëpo, me disa proceduara shtesë.

Qytetarët e të dyja shteteve thuhet se mund të udhëtojnë me letërnjoftim, por se për kalim në shtetin e tretë u nevojitet pasaporta.

Veturat kosovare që kalojnë në Serbi, detyrohen të paguajnë një taksë sigurimesh nga 60 deri në 100 euro, për një muaj të qëndrimit eventual në Serbi.

Tabelat e veturave me inicialet KS, mund të kalojnë pa problem në territorin e Serbisë, ndërsa, tabelat me inicialet RKS, " Republika e Kosovës", duhet të pajisen në kufij me tabela të përkohshme, për të qëndruar në Serbi për faktin që Serbia nuk pranon asnjë shenjë që identifikon Republikën e Kosovës.
 
Rexhepi ka deklaruar se në pikën kufitare në Merdare tashmë ka nisur të aplikohen procedurat e parapara me marrëveshje, por marrëveshja sipas tij vlen edhe për pikat kufitare në veri të Kosovës, mirëpo nuk mund të zbatohet në atë pjesë të vendit për shkak të barrikadave të vëna nga serbët lokalë me të cilat pamundësohet liria e lëvizjes.

”Marrëveshja vlen natyrisht edhe për veriun e Kosovës, por në veriun e Kosovës nuk ka fluks të lëvizjes dhe teknikisht kompanitë e sigurimeve ende nuk kanë bërë zgjidhje për t’i pasur kontejnerët përkatës”, tha Rexhepi.

Ministri Rexhepi tha se Qeveria e Kosovës është serioze në implementimin e marrëveshjeve.  

Nderkaq kryetarët e katër komunave ilegale në veri të Kosovës e kanë quajtur të papranueshëm vendimin për lëvizje të lirë në pikat kufitare me Kosovën.
 
I ashtuquajturi kryetari i komunës së Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka thënë se ky vendim u ka shkaktuar dëm të madh serbëve që jetojnë në Kosovë.

Ata kanë parlajmëruar se Kuvendet e komunave në veri të Kosovës do të vendosin për shpalljen e referendumit në të cilin qytetarët do të deklarohen se a i pranojnë institucionet e Kosovës në veri.

Sipas paralajmërimeve referendumi me gjasë do të mbahet me 15 shkurt- Ditën e shtetësisë së Serbisë.

Ndryshe deri tani janë dy marrëveshje që janë duke u zbatuar, njohja e vulave doganore dhe së fundi nga data 26 dhjetor edhe qarkullimi i lirë i njerëzve, ndërsa, pritet të zbatohet edhe kthimi i regjistrave civil, kadastrat dhe njohja e diplomave universitare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)