Nis të përçahet PDK
Prishtinë, 24 shkurt - Distancimi i ish-sekretarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqi nga organet e reja të kësaj partie, si dhe nga pozita e anëtarit të kryesisë, përfundimisht ka hapur derën e "përçarjes" së partisë.
Nëpërmjet një deklarate publike, ditë më parë Krasniqi ka thënë se partia më e madhe në vend nuk ka pasur fare zgjedhje të brendshme, por proces të emërimeve nga vetë kryetari i partisë, Hashim Thaçi karshi personave që i nënshtrohen atij.
Ai, madje e ka refuzuar pozitën e anëtarit të kryesisë, duke pohuar se nuk ka nevojë që ti falet një pozitë dhe as të mëshirohet nga i pari i partisë.
Por, Krasniqi nuk është i vetmi që sështë i kënaqur me përbërjen e kryesisë.
Ish-nënkryetari i kësaj partie, Rrustem Mustafa, që pas zgjedhjeve të fundit e ka humbur këtë pozitë, tashmë publikisht ka deklaruar se përbërja e kryesisë së re është bërë nga Hashim Thaçi, dhe se aty janë futur persona që i shkojnë për shtati atij.
Një zë tjetër kritik për procesin e zgjedhjeve, dhe përbërjen e organeve është kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili në veçanti ka shprehur shqetësime se si dega e PDK-së në këtë qytet përfaqësohet me dy persona, të cilët sipas tij, më së paku mund ta përfaqësojnë këtë degë në kryesinë qendrore.
Edhe deputetja Flora Brovina ka vërejtje për përbërjen e re të Kryesisë së partisë, shkruan sot gazeta Zëri.