Nis rinumërimi i votave nga 14 vendvotime
Prishtinë, 12 qershor - Ka filluar rinumërimi i votave nga 14 vendvotime, ku gjatë procesit të pranimit të materialit është evidentuar se ka pasur disa parregullsi.
Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe rezultateve Burim Ahmetaj tha për Radio Kosovën se rinumërimi i këtyre vendvotimeve pritet të përfundojë sonte.
Ndërkohë ende nuk ka filluar numërimi i votave me postë, atyre me nevoja të veçanta dhe votave me kusht.
Pas vendimit të KQZ për rinumërimin e 14 kutive, ku ka janë gjetur parregullsi, ka filluar rinumërimi i tyre. Burim Ahmetaj koordinator i Qendrës së numërimit dhe të rezultateve tha se ky proces pritet të përfundojë sonte.
Për këtë qëllim QNR i ka rekomanduar KQZ-së të vendos për rinumërim e këtyre vendvotimeve për arsye se në disa vendvotime parregullsi, me shirita sidomos ka pasur formular të rezultateve të paplotësuar dhe probleme të ndryshme të cilat nuk kemi mundur që ti evidentojmë si të rregullta. Pra kjo është arsye pse këto 14 vendvotime janë duke u rinumëruar sot dhe që pritet të përfundojnë në orën 8 në mbrëmje, tha ai.
Ahmetaj tha se QNR është ende në proces të kompletimit të votave si nga subjektet politike ashtu edhe të votave të kandidatëve, ku sipas tij do të duhet ende kohë deri në kompletimin e këtij procesi.
Për rezultatin e kompletimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike jemi larg këtij procesi. Janë shumë procese që duhet të përmbyllen me u kompletua kështu që të finalizohen përpara se të dilet me votat e kandidatëve të subjekteve politike, sepse duhet të presim edhe numërimin e votës së fundit të votave me kusht dhe votave nga jashtë në mënyrë që këto rezultate ti bashkohen votave të rregulla, kështu që nuk mund të them ndonjë afat deri në shpalljen e këtyre rezultateve.
Ndërkohë sipas Ahmetaj pritet të fillojë numërimi edhe i rreth 21 mijë e 800 vota me kusht, 1 mijë e 500 vota të personave me nevoja të veçanta dhe rreth 13 mijë vota me postë.
/Radio Kosova/