Nis regjistrimi i diasporës kosovare
Prishtinë, 14 janar - Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës i njofton pjesëtarët e diasporës se prej sot është plasuar platforma elektronike - online për regjistrimin e diasporës.
Adresa e platformës elektronike për tu regjistruar është www.rdks.info. Ministria e Diasporës i lut bashkatdhetarët që të bëhen pjesë e këtij procesi.
Qëllimi i regjistrimit është evidencimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike, shtetet ku jeton dhe vepron diaspora e mërgata, si dhe regjistrimi i shoqatave dhe formave të tjera të organizimit të tyre, thuhet në një kumtesë të MD-së.
Pjesë e këtij regjistrimi është çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova. Ky proces realizohet nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe me institucionet e tjera.
Të dhënat në këtë proces janë të mbrojtura me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.