Nis punimet konferenca Kosovo Calling
Prishtinë, 19 prill - Organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Këshilli Britanik në Kosovë në kuadër të projektit Kosovo Talks EU në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, sot nis punimet konferenca një-ditore Kosovo Calling një konferencë ndërkombëtare për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet rajonale dhe të BE-së që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Qëllimi i konferencës është të kuptohen më mirë pozicionet e këtyre shteteve ndaj Kosovës dhe të prezantohet libri udhërrëfyes diplomatik për qëndrimin e këtyre shteteve.
Vitin e kaluar Këshilli Britanik në Kosovë dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur kanë punuar individualisht me shtetet rajonale dhe te BE-së dhe kanë financuar punime strategjike te cilat shpjegojnë në detaje arsyet e mosnjohjes së Kosovës nga këto shtete.
Konferenca do të mbledhë në Prishtinë përfaqësues të këtyre shtatë shteteve: Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Konferenca do të jetë forum i diskutimeve të hapura dhe do të ndërtojë marrëdhëniet e mëtutjeshme të Kosovës me këto shtatë shtete. Po ashtu do të diskutohen edhe modelet e bashkëpunimit në nivel politik, kulturor dhe ekonomik.