Nis procesi i votimit në veri të Mitrovicës
Prishtinë, 23 shkurt - Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se sot në orët e hershme të mengjesit ka filluar procesi i votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Në bazë të raportit nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, të gjitha Vendvotimet janë hapur në kohën e paraparë, në orën 07:00.
Mbi 28 mijë qytetarë të Mitrovicës së Veriut zgjedhin votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e tyre të ardhshëm.
Në garë për të parin e komunës janë katër kandidatë, dy shqiptarë e dy serbë.
Zgjedhjet në këtë qytet të ndarë përmes lumit Ibër, janë duke u mbajtur nën masa e sigurisë së 250 policëve të Kosovës, të mbikëqyrur nga pjesëtarët e misionit evropian, dhe paqeruajtësit e NATO-s.
Zgjedhjet në këtë komunë, po përsëriten për të tretë herë.
Në raundin e parë, procesi zgjedhor u ndërpre për shkak të dhunës në dy qendra të votimit atje, ndërsa në ciklin e dytë, kryetari i zgjedhur, Krstimir Pantiq refuzoi të betohet sipas ligjeve të Kosovës.
Të gjitha qendrat e votimit thuhet se janë hapur me kohë, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.
Procesi i votimit sipas KQZ-së është duke vijuar me rregull dhe pa ndonjë problem.