Nis pa probleme programi i ri i gjendjes civile
Mitrovicë, 21 shkurt - Edhe në Komunën e Mitrovicës ka nisur aplikimi i programit të ri në Zyrën e gjendjes civile. Për dallim prej komunave të tjera që kanë ankesa të mëdha në Mitrovicë fillimisht puna po shkon mirë.
Drejtori i Administratës, Abdullah Bejtullahu, tha se nuk ka probleme të theksuara edhe pse vërehet se zyrtarët kanë pasur nevojë që të trajnohen më gjatë.
Ka pasur vetëm një ditë trajnim, kështu që zyrtarët po qëndrojnë edhe pas orarit të punës për ti kryer obligimet e tyre.
Ai tha se përparësi e madhe që ofron programi i ri është mundësia që ofron për palët që të pajisjen me certifikata të lindjes prej vendeve të ndryshme.
Çdo qytetar mund të pajisjet me certifikatë në komunën ku jeton, pa pasur nevojë të shkoj në komunën ku është regjistruar.
Ai sqaroi se risi që sjell ky program janë rubrikat e reja që duhet mbushur, në bazë të të cilave parashihen edhe gjoba për ata që nuk i përfillin kriteret e ligjit.
Nëse pala nuk e regjistron fëmijën brenda 30 ditësh do të gjobitet. Edhe për regjistrimin e vdekjes vlen e njëjta gjë.
Bejtullahu theksoi se në Mitrovicë mund të ketë probleme, meqë gjendja ekonomike e qytetarëve është e rëndë. Megjithatë kjo është diçka që del prej ligjit dhe do të duhet ta zbatojmë.