Nis nënshkrimi i peticionit kundër Projektligjit për amnistinë
Prishtinë, 8 korrik - Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) sot nisi mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit për ndryshimin e Projektligjit për amnisti i cili është rezultat i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Ftesës së KIPRED-it për nënshkrimin e peticionit iu bashkuan edhe organizata të tjera joqeveritare dhe qytetarë, të cilët nuk hezituan të nënshkruajnë kundër projektligjit për amnisti.
Ilir Deda nga ky Institut, tha se tani është momenti i fundit që të mos lejohet të kalojë ky ligj, i cili siç tha, amniston kryesisht një pjesë të Qeverisë.
Pa marrë parasysh përkushtimin e njerëzve në Qeveri dhe Kuvend që të amnistojnë veprat e tyre penale, vullneti dhe përkushtimi i qytetarëve për shtet, rend dhe ligj, duhet të jetë më i madh. Ky peticion është në funksion të tregimit të kësaj se qytetarët duan ligj, shtet ligjor dhe nuk duan barazi me kriminelët.
Instituti KIPRED kërkon nga Kuvendi që të lihet kohë deri në fund të muajit korrik, ku të krijohet një grup punues me ekspertë, që të draftojnë një ligj për amnisti, ashtu siç i takon Kosovës.
Nuk mund ti mbyllim sytë në këtë moment ku me shpejtësi marramendëse, njerëzit duan të shpëtojnë keqpërdorimin e vet, ta falin keqpërdorimin e vet dhe të mos ketë më vend për një luftë për një Kosovë më të mirë, që të gjithë e bëjmë së bashku. Mos të harrojmë që për 14 vjet shumica e qytetarëve të Kosovës kanë jetuar ndershëm dhe nuk mund tia lejojmë vetës që një grup i disa njerëzve në politikë ta kriminalizojnë vendin.
Ky aksion ka filluar në të njëjtën kohë edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës. Ditën e enjte shoqëria civile do të mbajë një protestë në ora 10 para Kuvendit të Kosovës, kur pritet të nxirret sërish në votim Projektligji për amnistinë.
Në rast se Projektligji për amnistinë kalon në Kuvend, Instituti KIPRED paralajmëroi se peticioni me nënshkrimet e qytetarëve do ti dorëzohet presidentes së vendit, në mënyrë që ajo të mos e nënshkruaj atë.