Nis manifestimi githëpopullor tadicional për Epopenë e UÇK-së
Prishtinë, 5 mars - Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës, Albin Kurti, dhe përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, nën organizimin e Këshillit Shtetëror Ndërinstitucional, kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot filloi Manifestimi Gjithëpopullor Tradicional për shënimin e Përvjetorit të 24-të, të Epopesë së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës.
Sipas agjendës shtetërore, manifestimi nisi me ceremoninë rreshtimit të kuadrateve përfaqësuese nga të gjitha komandat dhe njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni, që u organizua edhe për Ditën e Kazermës “Adem Jashari”, morën pjesë liderët më të lartë shtetëror, që nga Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti, Kryekuvendari Konjufca, kori diplomatik dhe ai ushtarak ndërkombëtar, përfaqësues të Familjes Emblematike Jashari, përfaqësues e personalitete nga institucioneve shtetërore, përfaqësuesit nga Organizatat e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-se, përfaqësues institucional e personalitete të shquara anekënd trojeve shqiptare etj.
Pas inspektimit të trupave të rreshtuara nga ana e Presidentes Osmani, në cilësi të Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ushtarakëve te rreshtuar, të pranishmeve dhe gjithë qytetarëve të vendit, me fjalimet e tyre ju adresuan, Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti dhe Baca Rifat Jashari në emër të Familjes Emblematike Jashari.
Me pas, nga ora 12:00, e që do të vazhdoj deri në ora 15, po në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, është organizuar Dita e dyerve të hapura për gjithë qytetarët , të cilët mund të shohin e njihen nga afër me disa nga pajisjet, teknika dhe kapacitetet operacionale të njësive të FSK-së.
Me këtë rast, rikujtojmë edhe sot se ky manifestim, tashmë tradicional, ka në epiqendër përkujtimin dhe nderimin maksimal të Betejës Unike në Historinë e Luftërave Çlirimtare, jo vetëm në historinë tone kombëtare por edhe historinë botërore, të luftës së pashembulltë dhe flijimin e 59 anëtarëve të Familjes Emblematike Jashari me Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe gjithë Prekazin Heroik.
Manifestimi do të vazhdoj sipas agjendës shtetërore me aktivitete të ndryshme përgjatë 5, 6 dhe 7 marsit.