Nis hartimi i draftkonkluzave për shpërbërjen e strukturave paralele
Bruksel, 26 shkurt - Draftkonkluzat për shpërbërjen e strukturave paralele dhe për integrimin e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës do të fillojnë të shkruhen të martën në Bruksel.
Ekipet e bisedimeve teknike të Kosovës e Serbisë, të udhëhequra nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe nga shefi i ekipit serb, Dejan Pavicevic kanë udhëtuar të hënën pasdite drejt Brukselit, njofton Tribuna.
Me gjithë lehtësimin që mund tua bëjnë zyrtarët e Zyrës së Baroneshës, Catherin Ashton, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Serbisë pritet të kenë shumë punë para vetes, për ti përgatitur bashkërisht të gjitha konkluzionet e marrëveshjeve për veriun e Kosovës që pritet të arrihen në rrethin e ardhshëm të bisedimeve në nivel të kryeministrave, më 4 mars.
Ekipet kosovare e serbe bashkë me ndërmjetësit e Bashkimit Evropian do të punojnë për harmonizimin e konkluzioneve për shpërbërjen e strukturave paralele, për rifunksionalizimin e gjykatave, ka thënë një zyrtar i lartë brenda Qeverisë së Kosovës, me kushte anonimiteti.
Sipas të njëjtit burim do të flitet edhe për organizimin e zgjedhjeve në komunat e veriut, për asociacionin e komunave, për mënyrën e rekrutimit në institucionet kosovare të zyrtarëve serbë në veri që deri tani janë paguar nga Beogradi etj., ka thënë një zyrtar i lartë brenda Qeverisë së Kosovës, me kushte anonimiteti.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar për Tribunën se pala kosovare tashmë e ka të hartuar platformën për tranzicionin që duhet të ndodhë në veri.